Raporti sekret trondit demokratët – Qëndrimi për Gazën i kushtoi Kamala Harris Shtëpinë e Bardhë në 2024

Të dhëna të reja hedhin dritë mbi arsyet e humbjes së Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024, duke nxjerrë në pah ndikimin e qëndrimit të administratës ndaj luftës në Gaza në rezultatin final.

Sipas një raporti të brendshëm të përgatitur nga bashkëpunëtorë të lartë të Democratic National Committee, qëndrimi i administratës Joe Biden–Harris për konfliktin Izrael–Gaza rezultoi “qartësisht negativ” në perceptimin e një pjese të elektoratit, veçanërisht mes të rinjve dhe votuesve progresistë. Lajmi u raportua nga Axios.

Raporti, i cili mbetet sekret, analizon faktorët që çuan në humbjen e Harris ndaj Donald Trump. Drejtuesit demokratë vendosën të mos e bëjnë publik dokumentin, duke argumentuar se publikimi i tij mund të shkaktonte përçarje të brendshme dhe ndikim negativ në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Sipas analizës, mbështetja e vazhdueshme e administratës për Israel gjatë luftës në Gaza krijoi pakënaqësi të thellë brenda krahut progresist të partisë. Ndërkohë që Harris gjatë fushatës u përpoq të mbante një ekuilibër – duke shprehur mbështetje për Izraelin, por edhe duke kërkuar armëpushim dhe ndjeshmëri për civilët palestinezë – kjo strategji duket se nuk mjaftoi për të frenuar rënien e mbështetjes.

Bashkëpunëtorët e DNC zhvilluan takime me përfaqësues të organizatës progresiste pro-palestineze IMEU Policy Project. Sipas zëdhënësit të saj, Hamid Bendaas, të dhënat e ndara nga demokratët tregonin se politika ndaj Gazës kishte dëmtuar ndjeshëm mobilizimin e votuesve të rinj.

IMEU akuzon tani drejtuesit demokratë për fshehjen e raportit, ndërsa zëdhënësja e partisë, Kendall Whitmer, e ka mohuar këtë pretendim.

Vetë Harris, gjatë promovimit të librit të saj “107 Days”, pranoi se administrata “duhej të kishte bërë më shumë” dhe të kishte shprehur publikisht kritika më të forta ndaj mënyrës se si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po e zhvillonte luftën. Në librin e saj, ajo sugjeron se perceptimi i një “çeku të hapur” për Netanyahun ndikoi negativisht në fushatën e saj, ndërsa privatisht kishte kërkuar më shumë ndjeshmëri për civilët në Gaza.

Debati brenda Partisë Demokratike mbi politikën ndaj Izraelit dhe Palestinës pritet të thellohet edhe më tej, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, ku mobilizimi i bazës progresiste konsiderohet kyç për rezultatin.