PS kërkon imunitet institucional — Rama mbledh grupin – Manja: 7 funksionarë të lartë të mos pezullohen

Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi këtë të hënë Grupin Parlamentar në Kuvend për të diskutuar ndryshimet e reja ligjore mbi masën e pezullimit nga detyra.

Deputeti Ulsi Manja prezantoi nismën, duke shpjeguar se bëhet fjalë për rregullimin e masave ndaluese gjatë hetimeve. Sipas tij, pezullimi është një masë gjyqësore që kufizon ushtrimin e funksionit publik për të garantuar procesin hetimor, por nuk duhet të zbatohet për disa poste të larta kushtetuese.

Socialistët propozojnë që lista e funksionarëve që nuk mund të pezullohen të zgjerohet, duke përfshirë Presidentin e Republikës, Avokatin e Popullit, zëvendëskryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas mazhorancës, ndryshimi synon qartësimin e kuadrit ligjor dhe shmangien e vakumeve institucionale gjatë proceseve gjyqësore.