Përplasje në Kuvend – Malaj nuk ja kursen Shehajt: “Je i dënuar për shpifje dhe vjedhje të të dhënave”

Debate të forta janë shënuar në seancën plenare të kësaj të enjteje mes ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Malaj ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Shehajt, duke deklaruar se ai është i dënuar për shpifje dhe për vjedhje të të dhënave, ndërsa shtoi se ekziston edhe një kallëzim tjetër në adresë të tij për të njëjtën çështje.

“Mezi po e pres interpelancën me ty. Flet ti për drejtësi, ti që je i dënuar si shpifës dhe hajdut të dhënash. Vesi del me shpirtin. Ke një kallëzim tjetër që je hajdut të dhënash. Të çon të fala Monzani!”, u shpreh Malaj nga foltorja e Kuvendit.

Ministri i Financave u ndal gjithashtu edhe te çështja e TVSH-së, duke theksuar se pagesat e bëra në doganë nuk përbëjnë kosto për biznesin, por janë TVSH e kreditueshme.

“Sa i përket TVSH-së, akoma nuk arrin të kuptosh se si funksionon. Çdo para që paguhet në doganë është TVSH e kreditueshme, jo kosto”, deklaroi Malaj, duke e ashpërsuar më tej tonin e debatit parlamentar.