MILITARIZIMI/ Polonia synon 4,8% të PBB-së për mbrojtjen në 2026 – Kryediplomati Sikorski: Duhet të pengojmë Putinin

Polonia do të rrisë ndjeshëm buxhetin e mbrojtjes në vitin 2026, duke e çuar atë në 4,8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në një kohë kur shqetësimet për kërcënimin rus mbeten të larta.

Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, deklaroi në parlament se vendi duhet të forcojë kapacitetet ushtarake për të garantuar sigurinë afatgjatë. “Polonia duhet të ndërtojë një forcë të armatosur të aftë për të penguar përgjithmonë presidentin rus Vladimir Putin,” u shpreh ai.

Sipas planit, më shumë se gjysma e 46,6 miliardë eurove të parashikuara për mbrojtjen do të shkojnë për blerjen e pajisjeve të reja ushtarake.

Si anëtare e NATO dhe e Bashkimi Evropian, Polonia tashmë renditet ndër vendet me shpenzimet më të larta në aleancë, pasi në vitin 2025 planifikon të investojë 4,7% të PBB-së në sektorin e mbrojtjes.

Në qershor, NATO miratoi objektiva të reja, duke kërkuar që shtetet anëtare të shpenzojnë të paktën 3,5% të PBB-së për mbrojtjen bazë dhe 1,5% shtesë për sektorë të lidhur me sigurinë, si infrastruktura. Qëllimi afatgjatë është që shpenzimet totale për mbrojtjen dhe sigurinë të arrijnë në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, një nivel i paparë që nga periudha e Luftës së Ftohtë.

Për krahasim, Gjermania synon të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes në 3,5% të PBB-së deri në vitin 2029.