Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka dërguar një mesazh të qartë drejt Uashingtonit, duke theksuar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të reagojë me kundërmasa nëse presidenti amerikan Donald Trump rikthen kërcënimet për tarifa të reja ndaj vendeve evropiane.
Duke folur para drejtuesve të industrisë në Samitin Evropian të Industrisë në Antverp, Merz u shpreh se BE-ja ka në dispozicion instrumente konkrete për t’iu përgjigjur praktikave tregtare të padrejta.
“Nuk jemi as naivë dhe as të pambrojtur. Ne kemi instrumente në dispozicion. Për të kundërshtuar praktikat e padrejta, do t’i përdorim ato, nëse është e nevojshme”, deklaroi ai.
Kancelari gjerman rikujtoi përplasjen e muajit të kaluar mes SHBA-së dhe vendeve evropiane, duke theksuar se uniteti i BE-së bëri që Trump të tërhiqej nga vendosja e tarifave shtesë.
Ai përmendi edhe samitin urgjent të liderëve evropianë gjatë Forumit të Davosit, ku u diskutuan masa të mundshme kundërpërgjigjeje.
“Nëse amerikanët nuk do të ishin tërhequr nga kërcënimi për tarifa të reja, ne ishim të gatshëm t’i zbatonim këto kundërmasa. Edhe një herë, nuk jemi naivë dhe nuk jemi të pambrojtur”, theksoi Merz.
LUFTASipas tij, forca e vërtetë e BE-së qëndron te veprimi i bashkuar i vendeve anëtare përballë presioneve të jashtme ekonomike dhe politike.









