Rusia ka bërë të qartë se Moskën e sheh si të vetmin vend të mundshëm për një takim mes Presidentit Vladimir Putin dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, duke i dhënë një ton të prerë diskutimeve për një samit të mundshëm.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se aktualisht nuk po shqyrtohet asnjë alternativë tjetër për vendin e takimit.
“Ne ende po flasim për Moskën. Diskutimet spekulative janë të papërshtatshme,” u shpreh ai para gazetarëve.
“Ftesa është gati”
Ndihmësi kryesor i Putinit, Yury Ushakov, konfirmoi se Kremlini është i gatshëm të presë Zelenskyn në kryeqytetin rus, nëse pala ukrainase e konsideron seriozisht takimin.
“Presidenti ynë ka thënë disa herë se do të ishim të lumtur ta ftonim në Moskë. Do të garantojmë sigurinë dhe kushtet e nevojshme,” tha ai për televizionin shtetëror Russia 1.
Megjithatë, Moska thekson se një samit i tillë duhet të jetë i përgatitur me kujdes dhe të synojë rezultate konkrete, jo thjesht një takim simbolik.
Prag negociatash
Deklaratat vijnë pak ditë pas raundit të parë të bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës në Abu Dhabi. Nga ana amerikane, i dërguari special Steve Witkoff u shpreh se negociatat kanë shënuar “përparim të konsiderueshëm” dhe se “gjëra pozitive” kanë ndodhur mes palëve.
Sinjali i Kremlinit për një takim të mundshëm shihet si një lëvizje diplomatike e kontrolluar, por edhe si përpjekje për të vendosur terrenin dhe kushtet që në nisje të procesit.









