Irani shpall ofensivën: Garda Revolucionare nis valën e parë të raketave dhe dronëve drejt Izraelit

Konflikti mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në një fazë të hapur përballjeje ushtarake. Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka konfirmuar se ka nisur “valën e parë të sulmeve të gjera me raketa dhe dronë” kundër Izraelit.

Deklarata zyrtare thekson se ofensiva është ndërmarrë “si përgjigje ndaj agresionit armiqësor dhe kriminal” të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës Islamike të Iranit, pas sulmeve ajrore të raportuara mbi objektiva në territorin iranian.

Më herët, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan se kishin identifikuar lëshimin e raketave balistike nga Irani drejt territorit izraelit. Sipas raportimeve fillestare, disa raketa janë drejtuar drejt zonës së Tel Avivit, ndërsa sirenat e alarmit vazhdojnë të dëgjohen në veri dhe jug të vendit.

Deri në këto momente nuk ka raportime për viktima, ndërsa sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për të neutralizuar kërcënimin.

Rajoni ndodhet tashmë në një cikël të rrezikshëm sulmesh dhe kundërsulmesh, me tensionet që po përshkallëzohen me ritëm të shpejtë.