Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se këtë javë do të udhëtojë drejt SHBA-së, pas një ftese nga presidenti Donald Trump, për të marrë pjesë në themelimin e Bordit të Paqes për Gazën.
Deklaratën ai e bëri në podcastin e tij “Flasim”, ku theksoi se Shqipëria do të jetë shtet themelues i këtij mekanizmi ndërkombëtar dhe nuk do të kontribuojë financiarisht për anëtarësimin.
Sipas Ramës, pjesëmarrja në këtë forum konsiderohet një vlerësim ndërkombëtar për rolin diplomatik të Shqipërisë.
“Do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të tij. Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe nuk do të kontribuojë me para, por me dinjitetin dhe reputacionin e saj ndërkombëtar”, u shpreh ai.
Kryeministri ironizoi gjithashtu zërat kritikë që kishin vënë në dyshim ftesën, duke thënë se pretendimet e mëparshme rezultuan të pavërteta pasi vizita tashmë është konfirmuar.









