Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Korinth, ku një 17-vjeçar shqiptar, Aleks Vangjeli, ka humbur jetën pas një përleshjeje me thikë.
Sipas autoriteteve greke, i riu u paraqit fillimisht në spital me plagë në zonën e barkut, duke deklaruar se ishte aksidentuar me makinë. Më pas ai u transportua me urgjencë drejt Athinës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, pasi një nga goditjet në gjoks i kishte dëmtuar zemrën.
Në të njëjtën kohë, një 19-vjeçar grek, i plagosur gjithashtu me thikë, u paraqit në një klinikë private në Korinth, duke pretenduar se ishte aksidentuar. Hetuesit dyshojnë se plagët e tij lidhen me të njëjtin incident dhe po hetojnë rolin e tij në përleshje.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit në zonën e Loutraki, ndërsa motivet e konfliktit mbeten ende të paqarta. Autoritetet dyshojnë se përplasja ka ndodhur për motive të dobëta, por hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
19-vjeçari u transferua nga spitali i Korinthit në Sotiria Hospital në Athinë, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia greke po vijon hetimet për të sqaruar ngjarjen dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë









