Dhuna e protestës – Berisha s’mban përgjegjësi: Përplasjet ishin skenar i Policisë – Gazi lotsjellës ju hodh vetë policëve për të fajësuar protestuesit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar incidentin gjatë tubimit të djeshëm në Tiranë si një skenar të mirëorganizuar nga Policia e Shtetit. Sipas tij, efektivët e policisë i kanë hedhur vetë njëri-tjetrit gaz lotsjellës dhe më pas janë futur në ambulanca për t’u paraqitur si të asfiksuar.

Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se në Spitalin e Traumës nuk kishte asnjë polic të lënduar: “Unë kam qenë vetë te Trauma. Ata njoftonin se 7 policë ishin të lënduar, por nuk kishte asnjë. Personeli më tha se aty ishin dërguar vetëm 5 policë pa asnjë problem dhe janë larguar siç kishin ardhur. E gjithë kjo ishte skenar,” u shpreh Berisha.

Ai falenderoi mediat për mbulimin minutë-pas-minute të protestës dhe theksoi se loja me barela dhe policë ishte pjesë e këtij skenari të qëllimshëm. Berisha paralajmëroi se populli opozitar do të përmbysë “narkodiktaturën” dhe theksoi rëndësinë e protestës së 20 shkurtit.