Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka dhënë detaje nga takimi që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës.
Në një intervistë për emisionin Debat Plus, Hamza theksoi se në takim janë trajtuar tema me interes shtetëror, duke nënvizuar se për PDK-në prioritet mbetet interesi i Kosovës para atij partiak.
“Kemi biseduar për tema të ndryshme. Sigurisht se për PDK-në, e kam thënë dhe e ripërsëris, interesi i Kosovës është para interesit politik. Besoj që në këtë drejtim kemi reflektuar”, është shprehur ai.
Sipas Hamzës, ndonëse Kuvendi është konstituuar dhe Qeveria është zgjedhur, procesi institucional nuk mund të konsiderohet i përmbyllur pa zgjedhjen e Presidentit.
“Është konstituuar Kuvendi, është zgjedhur qeveria. Mirëpo ky proces nuk përmbyllet pa zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes. Vendi s’mund të jetë pa zgjedhjen e Presidentit, sepse më 4 mars është dita e fundit kur vendi duhet ta ketë Presidentin e ri”, ka theksuar ai.
Hamza ka sqaruar se në takimin me Kurtin nuk janë diskutuar interesa partiake dhe nuk është përmendur asnjë emër konkret për postin e Presidentit.
“I jam përgjigjur ftesës së Kurtit dhe kam thënë që PDK gjithmonë ka vepruar në atë mënyrë që nuk kam vendosur vija të kuqe. Unë nuk kam shkuar të bëj marrëveshje politike për të kërkuar hise apo përfitime. Në takim nuk ka pasur prezantim të ndonjë emri. Asnjë emër nuk është përmendur. Kemi diskutuar për parime dhe rregulla”, ka deklaruar kreu i PDK-së.









