Biznesmeni Ramë Geci, i njohur edhe si pronari i godinës së “15-katshit” (Tirana International Hotel), është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi arsyet e thirrjes së tij nga hetuesit.
Emri i Gecit është përmendur në një prej dosjeve hetimore të SPAK, që lidhet me procedura prokurimi dhe komunikime të zbardhura nga telefoni i sekuestruar i ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, ku përmendet edhe ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas materialeve hetimore, në një komunikim të datës 24 gusht 2021, Balluku i shkruan Berberit se “KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”. Më pas, në biseda të tjera flitet për një procedurë prokurimi që lidhet me ndërtimin e rrugës Porto Romano – Durrës, Loti 3 (vazhdimi).
Nga të dhënat e publikuara në sistemin e prokurimeve rezulton se për këtë procedurë është shpallur fituese kompania “Geci” sh.p.k., e cila ka si ortak të vetëm dhe administrator Ramë Gecin. Kontrata është lidhur mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kësaj shoqërie.
Hetimet e SPAK vijojnë për të verifikuar rrethanat e procedurave, komunikimeve dhe vendimmarrjeve që lidhen me këtë projekt, ndërsa deri tani nuk ka informacion për akuza konkrete të ngritura ndaj biznesmenit.
Përgjimet:
Në orën 13:52, Belinda Balluku: “Jam në shpi peshk, me pak fjalë, me një virozë”.
Në orën 13:52, Evis Berberi: “Obobo”.
Në orën 13:52, Belinda Balluku: “Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”.
Në orën 13:53, Evis Berberi: “15 ml, rreth diku te 10 milionë euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”.









