Zemra administrative e Bashkimit Europian është vënë nën lupën e hetuesve. Policia belge bastisi këtë të enjte zyrat e Komisionit Europian në Bruksel, në kuadër të një hetimi që lidhet me shitjen e dhjetëra ndërtesave në vitin 2024.
Sipas raportimeve fillestare të Financial Times, hetimi ka në fokus transaksionin përmes të cilit BE i shiti shtetit belg 23 ndërtesa të Komisionit për rreth 900 milionë euro. Marrëveshja u justifikua në atë kohë me reduktimin e hapësirave të zyrave pas pandemisë së Covid-19, kur një pjesë e madhe e stafit punonte nga shtëpia, duke çuar në tkurrjen e sipërfaqes së përdorur me rreth një të katërtën.
Një zyrtar i BE-së konfirmoi se institucioni është në dijeni të hetimit, ndërsa prokuroria dhe policia belge kanë refuzuar të japin detaje shtesë. Sipas mediave ndërkombëtare, dyshimet paraprake flasin për një aferë të mundshme korrupsioni, megjithëse transaksioni është paraqitur zyrtarisht si i rregullt dhe ligjor.
Kontrollet thuhet se janë përqendruar veçanërisht në zyrën e buxhetit të Komisionit Europian, çka sugjeron se hetimi mund të lidhet me mënyrën e vlerësimit dhe miratimit të marrëveshjes financiare.
Ndërtesat u blenë nga Fondi Sovran i Pasurive të Paluajtshme i shtetit belg, me planin për t’i rinovuar dhe më pas për t’i kthyer në apartamente ose ambiente tregtare me qira – një operacion që në letër shihej si investim strategjik urban.
Tashmë, me bastisjen e zyrave në Bruksel, çështja ka marrë një dimension të ri politik dhe institucional, duke hedhur hije dyshimi mbi një nga transaksionet më të mëdha të pasurive të paluajtshme në historinë e institucioneve europiane.









