APLIKIMI/ 30 mijë deklarime deri tani – Tatimet presin 200 mijë qytetarë për rimbursimet

Rreth 30 mijë qytetarë kanë plotësuar deri më tani Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, ndërsa afati përfundimtar mbetet data 31 mars. Sipas Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pritshmëritë janë që numri i deklarimeve të arrijë në 200 mijë individë deri në fund të afatit.

Rritja e interesit këtë vit lidhet me aplikimin për herë të parë të zbritjeve tatimore për fëmijët në ngarkim dhe për shpenzimet arsimore. Skema e re e rimbursimeve po nxit edhe qytetarët që nuk kanë fëmijë të deklarojnë vullnetarisht të ardhurat, për të verifikuar nëse rezultojnë me tepricë kreditore.

Individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë përfitojnë zbritje për fëmijët në ngarkim, ndërsa ata me të ardhura nën këtë nivel kanë të drejtë të përfitojnë si për fëmijët, ashtu edhe për shpenzimet arsimore.

Administrata tatimore kujton se vitin e kaluar deklarata u dorëzua nga 140 mijë individë. Këtë vit, për të shmangur penalitetet, janë të detyruar të deklarojnë ata që kanë pagë mbi 100 mijë lekë në muaj, kanë qenë të punësuar në më shumë se një vend pune për të paktën një muaj, apo kanë realizuar të ardhura mbi 50 mijë lekë pa iu mbajtur tatim në burim.

Në këtë kategori përfshihen shpesh individë që sigurojnë të ardhura nga qiradhënia mujore ose ditore e banesave.