AMNISTIA/ Lirohet lideri i opozitës venezueliane Juan Pablo Guanipa – u burgos për më shumë se 8 muaj me akuzën për pjesëmarrje në një “grup terrorist”

Lideri i opozitës në Venezuela, Juan Pablo Guanipa, u lirua të dielën pas më shumë se tetë muajsh burgim, njoftoi Euronews Albania. Guanipa, një nga aleatët më të ngushtë të opozitares María Corina Machado, mbahej në një qendër paraburgimi në Caracas, ku ishte arrestuar në fund të majit nën akuza për pjesëmarrje në një “grup terrorist” që dyshohej se planifikonte bojkotimin e zgjedhjeve legjislative — akuza që familjarët dhe mbështetësit e tij e mohuan si tentativë për shtypjen e disidentëve.

Lirimi i Guanipas vjen ndërsa qeveria e presidentes në detyrë Delcy Rodríguez përballet me presion në rritje për të liruar qindra të burgosur politikë, një kërkesë që vjen edhe nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe fuqitë ndërkombëtare.

Grupi për të drejtat e të burgosurve “Foro Penal” konfirmoi se të paktën 18 persona të tjerë u liruan po të dielën, si pjesë e lirimeve të vazhdueshme të të burgosurve politikë.

Në një video të shpërndarë në rrjetin social X menjëherë pas lirimit, Guanipa tha se ka shumë për të diskutuar rreth “së tashmes dhe të ardhmes së Venezuelës”, duke theksuar rëndësinë e së vërtetës në procesin politik të vendit.