Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, ka deklaruar se Izraeli ka një “të drejtë biblike” mbi territore të gjera të Lindjes së Mesme, duke shtuar se “do të ishte shumë mirë nëse do ta merrte të gjithën”. Komentet u bënë gjatë një interviste me gazetarin amerikan Tucker Carlson, në një podcast të publikuar së fundmi.
Gjatë bisedës, Huckabee iu referua përshkrimeve biblike të kufijve të Izraelit “nga Nili deri në Eufrat”, duke sugjeruar se ekziston një bazë fetare për pretendime historike mbi këtë hapësirë. I pyetur nëse kjo nënkupton një pretendim modern territorial mbi të gjithë rajonin, ai u përgjigj se “do të ishte shumë mirë nëse do ta merrnin të gjithën”.
Megjithatë, ambasadori sqaroi se nuk beson se ky është objektivi aktual politik i Izraelit. Sipas tij, shteti izraelit synon të jetojë në paqe brenda territorit ku ekziston sot dhe nuk po përpiqet të marrë kontrollin e vendeve fqinje si Jordania, Siria apo Iraku, por të garantojë sigurinë e popullsisë së vet.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ndërsa lufta në Gaza vazhdon dhe roli i SHBA-së në Lindjen e Mesme mbetet në qendër të debateve ndërkombëtare.









