ZVARRITJA/ Kërkesa e SPAK për imunitetin e Ballukut mbetet pezull – Këshilli i Mandateve shtyn sërish mbledhjen

Zhvillim i papritur në dosjen që trondit politikën: mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për kërkesën e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku është shtyrë në minutat e fundit, pa asnjë datë të re.

Këshilli ishte parashikuar të mblidhej në mesditë, por një urdhër i kryetarit e ndaloi procesin, duke e futur çështjen në një ngërç institucional. Lëvizja vjen menjëherë pas seancës në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk dha vendim përfundimtar mbi përplasjen mes qeverisë dhe drejtësisë.

Në thelb të betejës qëndron një pyetje e fortë kushtetuese: a mund të pezullohet një ministër pa autorizimin e Kryeministrit? Qeveria kërkon interpretim të nenit 103 të Kushtetutës, duke theksuar se anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit. Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK argumentojnë se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e kreut të qeverisë dhe nuk ka konflikt mes pushteteve.

Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit të ankimit të qeverisë ndaj vendimit të GJKKO për pezullimin e Ballukut, vendosi të marrë më shumë kohë, duke shtyrë vendimin final. Kjo lë pezull jo vetëm fatin politik të zv.kryeministres, por edhe kufijtë e pushteteve në Shqipëri.

Tani topi mbetet mes Kuvendit, SPAK dhe Gjykatës Kushtetuese — me një çështje që po kthehet në një përballje të hapur mes politikës dhe drejtësisë.