Vrasja e një të riu në SHBA – kapet në Meksikë një nga më të kërkuarit e FBI-së

Alejandro Rosales Castillo, 27 vjeç, një nga dhjetë më të kërkuarit nga Agjencia Federale e Hetimeve të SHBA-së (FBI), u arrestua nga autoritetet ushtarake dhe policore meksikane, njoftuan të shtunën autoritetet e dy vendeve.

Rosales Castillo akuzohet për vrasjen e Chuk Kwan “Sandy” Lei Laja, një vajzë 23-vjeçare me origjinë vietnameze, me të cilën kishte punuar më parë në një restorant në Charlotte, Karolina e Veriut. Për kapjen e tij, FBI kishte vendosur një shpërblim prej 250,000 dollarësh për çdo informacion që mund ta çonte te arrestimi i tij.

I riu ishte nën një “njoftim të kuq” të Interpol dhe një urdhër-arrest për ekstradim, dhe akuzohet për “vrasje të shkallës së parë, grabitje të armatosur, vjedhje makine dhe rrëmbim,” njoftoi përmes rrjetit X Ministri i Sigurisë i Meksikës, Omar García Harfous.

Ambasadori amerikan në Meksikë, Ronald Johnson, përmes X përgëzoi arrestimin, duke e cilësuar atë si rezultat të “bashkëpunimit të ngushtë midis dy qeverive.”

Rosales Castillo u kap në shtetin Hidalgo (qendror) dhe u paraqit menjëherë para prokurorisë.

Sipas mediave amerikane, ai kishte pasur një lidhje të shkurtër me viktimën dhe kishte marrë hua para prej saj. Ai e kishte thirrur të takohej, duke pretenduar se do të paguante borxhin, por në vend të kësaj e rrëmbeu, e detyroi të tërhiqte kursimet e saj nga një bankomat, pastaj e çoi në një zonë pyjore, e qëlloi me armë në kokë dhe hodhi trupin e saj në një humnerë.