VIZITA/ SHBA riafirmon mbështetjen për SPAK: Do të përballemi me kartelet e drogës dhe korrupsionin kudo që ndodhet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përgëzuar kreun e ri të SPAK, Klodian Braho, dhe drejtuesin e BKH, Joni Keta, për marrjen e detyrave të reja, duke theksuar mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.

Në një takim me Brahon, Ketën dhe kreun aktual të SPAK, Altin Dumani, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy VanHorn, vlerësoi përkushtimin dhe përgjegjësinë e drejtuesve të rinj. Ajo nënvizoi se SHBA qëndron në krah të institucioneve shqiptare në përpjekjen për të forcuar sundimin e ligjit.

Ambasada theksoi se kjo mbështetje është pjesë e një strategjie më të gjerë për të luftuar krimin ndërkombëtar dhe trafikun e narkotikëve. Në deklaratë përmendet edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili theksoi: “Do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe veprojnë kundër interesave tona.”