Video intime, akuza për shantazh dhe rrëzim zyrtarësh – skandali që po trondit politikën e Malit të Zi

Një stuhi politike me përmbajtje intime ka shpërthyer në Mal të Zi, duke tronditur jo vetëm opinionin publik, por edhe strukturat më të larta shtetërore. Prej javësh, vendi është përfshirë nga një skandal seksual me video komprometuese, akuza për shantazh dhe hetime penale që po shtrihen deri në majat e sigurisë kombëtare.

Gjithçka nisi me publikimin e disa videove intime të Mirjana Pajkoviç, asokohe sekretare në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve. Pamjet shpërthyen si bombë në media dhe rrjete sociale, duke çuar menjëherë në dorëheqjen e saj. Por zinxhiri nuk u ndal aty.

Pak më pas, nga skena u largua edhe një emër i rëndë i sigurisë shtetërore: Dejan Vukshiç, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe këshilltar i presidentit. Dyshimet se ai është burri që shfaqet në videot intime me Pajkoviç kanë ndezur edhe më shumë skandalin, duke e kthyer çështjen në një përplasje të fortë politike dhe institucionale.

Ndërkohë, në internet kanë qarkulluar edhe fotografi private të saj, duke e zhvendosur çështjen nga thjesht një skandal moral në një betejë ligjore për shkelje të rëndë të privatësisë.

Pajkoviç ka reaguar ashpër, duke e denoncuar rastin në polici si shpërndarje të paautorizuar të materialeve intime, shantazh dhe kërcënime për shkatërrim karriere. Ajo e cilëson publikimin e videove si dhunë dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit dhe të drejtave të njeriut. Sipas saj, për një kohë të gjatë ka qenë nën presion dhe kërcënime të vazhdueshme.

Në dosjen e dorëzuar autoriteteve përfshihet edhe një audioincizim, ku – sipas pretendimeve të saj – dëgjohet zëri i Vukshiçit duke thënë se “për të nuk ka jetë në Mal të Zi”, një frazë që ka shtuar dyshimet për intimidim serioz.

Skandali ka rikthyer në vëmendje edhe një video të vitit 2022, ku Pajkoviç përmendte Vukshiçin si udhëheqësin e saj të preferuar, në një kohë kur ai ishte pak i njohur për publikun. Ironikisht, në fund të vitit 2025, ajo kishte depozituar tri padi ndaj tij.

Prokuroria Shtetërore në Podgoricë ka hapur dy procedura penale mbi bazën e kallëzimeve të saj, ndërsa hetimet po thellohen. Çështja ka marrë përmasa të paprecedenta, duke u shndërruar në një nga skandalet më të mëdha politike dhe personale që ka goditur Malin e Zi në vitet e fundit.