STUHI DIMERORE/ Moska “pushtohet” nga bora – bllokohet qyteti – fluturime të anuluara dhe paralajmërim për acar ekstrem

Kryeqyteti rus është mbërthyer nga një stuhi e egër dimërore që e ka kthyer Moskën në një qytet të paralizuar nga dëbora, me autoritetet që kanë ngritur alarmin për mot ekstrem dhe rrezik në rritje për qytetarët.

Reshjet e dendura kanë mbuluar zonat e ndryshme të qytetit me shtresa bore që në disa vende arrijnë deri në 50 centimetra, duke sjellë kaos në qarkullimin rrugor dhe ajror. Aeroporti kryesor është detyruar të devijojë fluturime, ndërsa rrugët janë përballur me vonesa të gjata dhe bllokime të shumta.

Sipas shërbimeve meteorologjike, reshjet do të vazhdojnë të paktën deri të enjten, ndërsa fundjava pritet të sjellë temperatura shumë të ulëta dhe acar të fortë. Zyrtarët paralajmërojnë se grumbujt e borës dhe shtresat e ngrira do të qëndrojnë për disa ditë, duke e bërë situatën edhe më të vështirë.

Departamenti i Transportit i Moskës u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përdorimin e makinave dhe të zgjedhin metronë. “Udhëtimi me makinë mund të zgjasë dy ose trefish më shumë. Shtoni edhe 20–30 minuta për shkak të pastrimit të borës. Rreziku i aksidenteve dhe bllokimeve po rritet ndjeshëm,” thuhet në njoftim.

Meteorologët konfirmojnë se reshjet e fundit kanë thyer rekorde që nuk ishin prekur që prej vitit 1995, duke e kthyer këtë stuhi në një nga më të fortat e dekadave të fundit.

Ndërkohë, i ftohti ekstrem po ndjehet në pjesën më të madhe të Rusisë, ku konsumi i gazit natyror ka arritur nivele rekord, ndërsa qytetarët përpiqen të përballojnë temperaturat përvëluese të dimrit siberian. Moska, për momentin, duket e ngrirë — si në lëvizje, ashtu edhe në ritmin e jetës së përditshme.