THASHETHEMI “TEKNIK”/ U përfol për kryeministre teknike – Lea Ypi shuan zërat rreth saj; njofton largimin nga Shqipëria

Ditët e fundit në media është përfolur sërish emri i shkrimtares së njohur Lea Ypi si një kandidate e mundshme për kryeministre e një qeverie teknike në Shqipëri.

Emrin e saj e ka komentuar  edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha duke mos e rrëzuar tërësisht si kandidaturë.

Por këto zëra hidhen përfundimisht poshtë nga  Lea Ypi teksa ditën e sotme ajo me anë të një shkrimi në rrjetet sociale ka njoftuar se do të largohet nga Shqipëria.

Në fjalët e saj, Ypi theksoi se ditët e fundit ka qenë e ekspozuar ndaj shpifjeve dhe konspiracioneve të ndryshme, por ka zgjedhur t’i lërë pas.

Ajo u ndal te përvoja e takimeve me qindra lexues nga breza e bindje të ndryshme, duke vlerësuar guximin e të rinjve për t’u përballur hapur dhe pa maska. Ypi tha se këto emocione dhe shkëmbime idesh mbi fatet e botës dhe të Shqipërisë do t’i mbajë me vete.

Llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve biografike, ideologjike, gjeopolitike, sociale, materiale e sa e sa të tjera më kanë dëgjuar veshët e parë sytë për veten këto ditë, ti kam lënë në derë. Në fund të fundit hiçi dixhital e mediatik mbi diçka duhet ngritur që atij grushti logosh ku tek asgjëja çlirohet vetmia, trishtimi, mllefi, dështimi, varfëria e mendimit, shfrytëzimi, paburrëria, ti mbushet mendja se mbase diçka është.

Por emocionet e takimeve të këtyre ditëve me qindra njerëz të vërtetë, lexues të gjithfarë brezave, bindjesh politike, përvojash historike, me aq shumë pyetje, vërejtje, komente, kritika, fjalë nxitëse, të rinj e të reja me guxim për tu parë në sy e për tu përballur pa u fshehur në lloj lloj pseudonimesh e maska karnavalesh, shkëmbimet tona rreth fateve të botës e të këtij katundit tonë, skutave të historisë, dritës që hedh arti në kërkim të së vërtetës – të gjitha këto i mbaj me vete.

Kam përshtypjen se bota sot i ngjan labirintit të minotaurit ku gjithkush kërkon shpëtim nga përbindëshat e dukshëm e të padukshëm. Ndoshta secili nga ne e mban në dorë një pjesë nga filli i Ariadnes, mjafton që duart të bashkohen dhe njerëzit të rigjejnë kuptimin e të qenit njeri.

Faleminderit të gjithë atyre që në këtë skutën shqiptare të labirintit shtrënguan dorën time.