TAKIMI I JASHTEZAKONSHEM/ Papa Leo XIV thërret për herë të parë në Vatikan të 245 kardinalët e botës – tryeza 2 ditore me dyer të mbyllura

Papa Leo XIV ka thirrur kardinalë nga e gjithë bota në Vatikan këtë të mërkurë dhe të enjten, në sinodin e parë të jashtëzakonshëm të pontifikatit të tij. Në këtë takim dy-ditor, që zhvillohet me dyer të mbyllura, marrin pjesë 245 kardinalë nga pesë kontinente.

Sipas burimeve të Vatikanit, ky sinod i jashtëzakonshëm vjen si përgjigje ndaj kërkesës së bërë nga kardinalët përpara zgjedhjes së Papa Leo XIV në maj, për një kolegjialitet më të madh në drejtimin dhe administrimin e Kishës Katolike.

Takimi shënon një qasje të re krahasuar me periudhën e Papa Françeskut, i cili është kritikuar herë pas here për një stil drejtimi të perceptuar si shumë personal apo autoritar. Papa Françesku kishte thirrur vetëm një konklavë të jashtëzakonshme, duke preferuar të mbështetej në një Këshill të kufizuar Kardinalësh.

Sipas traditës, Papa ka të drejtën të thërrasë këshilla të rregullta publike, kryesisht për kurorëzimin e kardinalëve të rinj, si edhe këshilla të jashtëzakonshme, ku i gjithë trupi i kardinalëve mblidhet për të diskutuar çështje të rëndësishme për të ardhmen e Kishës Katolike.