SITUATA NE VEND/ Ministria e Mbrojtjes raporton pas motit të keq: Gjëndja më e rënduar në Gjirokastër, disa akse rrugore të bllokuara

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim mbi situatën e krijuar në Shqipëri si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta. Problematikat më të mëdha janë evidentuar në zonat malore dhe pranë lumenjve, ku janë shfaqur vështirësi në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve.

Sipas njoftimit zyrtar, Qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike. Në Bashkinë Gjirokastër raportohet prezencë dëbore në Njësinë Administrative Picar, ndërsa lumi Drino në aksin Gjirokastër–Tepelenë është afruar rrezikshëm me trupin e rrugës, duke kërkuar ndërhyrje emergjente për forcimin e argjinaturës. Po ashtu, vijon puna për hapjen e akseve të bllokuara në zonat Odrie, Lunxhëri dhe Zagori, si dhe për riparimin e një ure të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë.

Në Bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa akset Pogon–Dropull dhe Zagori–Libohovë vijojnë të jenë të bllokuara nga dëbora. Situatë e vështirë paraqitet edhe në Bashkinë Përmet, ku aksi Përmet–Dogana e Tre Urave dhe disa zona përreth Njësisë Administrative Frashër janë të pakalueshme për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.

Në Bashkinë Memaliaj raportohet gërryerje e tokave bujqësore nga lumi Vjosë, ndërsa në Tepelenë qarkullimi në aksin Tepelenë–Gjirokastër, në zonën “Shkalla e Zezë”, kryhet vetëm me një korsi.

Qarku Lezhë është përfshirë nga reshje dëbore edhe në zonat e ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Ndërkohë, është riparuar argjinatura e dëmtuar në lumin Drojë dhe strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbajtjen hapur të akseve rrugore.

Në Qarkun Vlorë raportohet përmirësim i situatës nga prurjet e lumit Vjosë, ndërsa nënkalimi në fshatin Bishan mbetet i bllokuar. Nuk ka banesa të përmbytura, por vetëm prezencë uji në oborre.

Edhe Qarku Elbasan po përballet me dëborë dhe ngrica në zonat malore të bashkive Elbasan dhe Peqin, ku disa akse rurale janë bllokuar nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Mjetet dhe punonjësit ndodhen në terren për normalizimin e situatës.

Qarku Dibër mbetet ndër zonat më të prekura, me prani akulli dhe rrëshqitje dherash në disa akse rrugore. Ekipet e emergjencave civile dhe OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike dhe për garantimin e qarkullimit, ndërsa policia ndodhet në terren për orientimin e mjeteve.