SERIALI I REPLIKAVE/ Rama lodron me Fevziun, që t’i fshehë publikut sikletin me drejtësinë: Influencieri i dëborës ende s’ka kërkuar falje për shpifjen e 7 ministrave

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me përplasjen në distancë me gazetarin Blendi Fevziu, pas deklaratave të këtij të fundit për ministrat e kabinetit qeveritar dhe udhëtimet e tyre gjatë fundjavave.

Kjo përplasje publike vlerësohet nga kritikët si një taktikë e njohur e Ramës për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga zhvillimet e ndjeshme politike dhe ligjore. Në këtë rast, reagimet e kryeministrit vijnë në një moment kur SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj, çështje që ka vënë qeverinë në presion të drejtpërdrejtë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama i ka quajtur “gënjeshtër” pretendimet e Fevziut se ministrat udhëtojnë jashtë vendit gjatë fundjavave, ndërsa shfaqen në publik apo në media sikur janë në detyrë. Sipas tij, gazetari nuk ka arritur ta mbrojë deklaratën e bërë dhe as nuk ka kërkuar ndjesë ndaj publikut.

Në reagimin e tij, Rama përdor një gjuhë ironike dhe sulmuese, duke përmendur “llazoret demokratikase të sallonit të tij” dhe figura të tjera të opozitës, të cilat sipas kryeministrit gënjejnë më shpesh se vetë Fevziu. Ai shton se, duke qenë se ka marrë pjesë edhe vetë në emisionin e gazetarit, ndien detyrimin t’i kërkojë këtij të fundit që të kërkojë falje publike dhe të mos shmangë përgjegjësinë “pas analizave të motit”.

Sipas Ramës, debati është shfrytëzuar artificialisht dhe synon të zbehet shpejt, ndërsa ai këmbëngul se akuzat ndaj ministrave të tij janë të pavërteta dhe të pabazuara.

Reagimi i plotë i Ramës:

Reagimi i Edi Rames: Mesa kuptoj dëbora e kudondodhur dhe kalendari i ngjeshur i influencerit, e penguan Blendi Fevziun të merrej seriozisht me faktin që i gënjeu hapur shikuesit e tij besnikë, kur nga ekrani i Opinionit u tha, “kam fakte që të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë… Ju’a garantoj!”

Që kjo ishte një gënjeshtër e llojit shpifje, këtë nuk e mohoi dot as vetë Fevziu, duke reaguar ndaj postimit tim pa sjellë asnjë fakt mbi këtë sajesë të hedhur nga dritarja e Opinionit në shtëpitë e shqiptarëve, bash kur një sërë ministrash ishin ditë e natë rrugëve gjatë vorbullës atmosferike të javëve të fundit.

Unë e dija që Fevziu gënjeu, siç e di kur gënjejnë – shumë më shumë dhe shumë më shpesh se sa ai – llazoret demokratikase të sallonit të tij ose daha më keq, konkurentet e tyre tek salloni i qimeve të opozitës apo le pastaj barisalifallinjtë e udhëheqjes demokratikase.

Por duke qenë se tek salloni i Fevzos shkoj edhe vetë, kur vjen ora e ndonjë debati me përfaqësuesin më të gëlltitshëm të çetës opozitare, e kam detyrim t’i bëj apel Fevziut që t’i kërkojë falje shikuesve të përbashkët dhe të mos fshihet pas analizave të motit, me hilenë që çudia tre ditë zgjat!

Shumica dërrmuese e atyre shikuesve nuk janë votuesit e mi, madje janë tifozë kundërshtarë, por ama ata janë edhe shikuesit e mi, të cilët Fevziu i keqtrajtoi brutalisht me atë shpifje plateale, ndërkohë që në ekranin e Opinionit ata janë në besën e tij.  Dhe nëse Fevziu nuk i mbron dot nga shpifësit që fton aty në çdo debat politik, minimalisht nuk duhet t’i abuzojë edhe vetë apo jo?

Do thoni ju po se mos është e para herë dhe të drejtë keni, por ama ka një moment kur duhet ndaluar e kërkuar një falje, qoftë edhe njëherë të vetme, se ky avazi i bubullimave të shpifjeve e i gërrgërrimave të akuzave nga mëngjesi në mesnatë u bë pocaqi fare, e mbase Fevziu si një lider mediatik në mexhelisin e 700 tenxhereve e gjen tek vetja këtë forcë duke dhënë një shembull pozitiv…