REKORD/ Futbolli në epokën e miliardave! – FIFA zbulon vitin më të çmendur të transferimeve në histori

Bota e futbollit ka hyrë zyrtarisht në epokën e super-milionave! Raporti më i fundit i FIFA-s ka zbuluar një realitet marramendës: 2025 është viti me më shumë transferime ndonjëherë, duke thyer çdo rekord të mëparshëm.

Sipas Global Transfer Report, në futbollin profesionist dhe amator për djem e vajza janë regjistruar plot 86 158 transferime ndërkombëtare — një shifër që tregon se merkatoja globale ka dalë jashtë çdo parashikimi.

Por tronditja e vërtetë vjen nga paratë: vetëm në futbollin profesionist të djemve janë shpenzuar 13.08 miliardë dollarë — shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë! Për herë të parë në histori, shpenzimet për transferime kanë kaluar pragun e 10 miliardë dollarëve, duke u ngjitur në rreth 13.11 miliardë, një rritje shpërthyese prej 50% krahasuar me 2024 dhe mbi 35% më shumë se rekordi i mëparshëm.

Edhe futbolli i vajzave po jeton një bum historik. Janë kryer 2 440 transferime, me një rritje prej 6.3%, ndërsa shpenzimet kanë arritur 28.6 milionë dollarë — plot 80% më shumë se një vit më parë. Një sinjal i qartë se investimet në futbollin e femrave po hyjnë në një fazë të re.

Në skenën e “big money”, Anglia dominon totalisht. Klubet angleze kryesojnë si për shpenzimet, ashtu edhe për të ardhurat nga transferimet: 3.82 miliardë dollarë të shpenzuara dhe 1.77 miliardë të arkëtuara nga lëvizjet ndërkombëtare.

Në total, 756 klube janë përfshirë në transferime ndërkombëtare në futbollin e vajzave, një rritje prej 8.3%. Nga këto, 135 klube kanë bërë të paktën një blerje, ndërsa 155 klube kanë përfituar nga komisionet e shitjeve — tregues se tregu po zgjerohet me ritme të shpejta.

Mesazhi i raportit është i qartë: futbolli nuk është më vetëm lojë — është industri gjigante globale, ku rekordet po thyhen me shpejtësi marramendëse dhe merkatoja po kthehet në një garë miliardash.