Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se zgjidhja për përfundimin e luftës në Ukrainë nuk varet nga Kievi apo Perëndimi, por nga vendimet që merren në Kremlin. Ai la të kuptohet se aktualisht nuk sheh arsye për komunikim të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin, duke vënë në dyshim gatishmërinë reale të Moskës për armëpushim dhe bisedime serioze paqeje.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren e Lituanisë, Inga Ruginienė, Merz theksoi se strategjia e Gjermanisë dhe aleatëve mbetet e qartë: presioni duhet të vazhdojë dhe sanksionet ndaj Rusisë duhet të forcohen sa herë që është e mundur. Ai shtoi se kanalet diplomatike ekzistuese po funksionojnë dhe se koordinimi mes Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe vendeve evropiane është në zhvillim, ndaj nuk e sheh të nevojshme hapjen e linjave të reja komunikimi në këtë fazë.
Sipas tij, nëse Moska refuzon t’i japë fund luftës, pasojat për Rusinë do të përshkallëzohen vazhdimisht. “Kostoja – sidomos ajo ekonomike – do të rritet javë pas jave dhe muaj pas muaji”, paralajmëroi kancelari. Ai dënoi ashpër sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike të Ukrainës, duke i cilësuar si krime lufte kundër popullit ukrainas.
Merz dhe Ruginienė theksuan njëzëri se çdo proces negociator duhet të përfshijë domosdoshmërisht Ukrainën, duke respektuar sovranitetin dhe të drejtën e saj për vetëvendosje, dhe jo të zhvillohet mbi kokën e saj.
I pyetur për idenë e një qasjeje të përbashkët evropiane në fushën bërthamore, Merz rikujtoi se Gjermania i përmbahet angazhimit për të mos zotëruar armë bërthamore. Megjithatë, ai sqaroi se kjo nuk përjashton diskutimet për një pengesë bërthamore të përbashkët me partnerë evropianë, e cila mund të plotësojë, jo të zëvendësojë, bashkëpunimin ekzistues me SHBA-në, duke përmendur rolin e Francës dhe Britanisë së Madhe.
Nga ana e saj, kryeministrja lituaneze vuri theksin te rëndësia e lidhjeve transatlantike, por edhe te nevoja që Evropa të forcojë kapacitetet e veta mbrojtëse. Merz shprehu gjithashtu mbështetjen e plotë të Berlinit për Lituaninë, ku është dislokuar një brigadë e Bundeswehr-it.
“Siguria e Lituanisë është edhe siguria jonë. Prania e ushtrisë gjermane atje nuk është thjesht simbolike, por një kontribut real në mbrojtjen dhe parandalimin”, u shpreh kancelari.









