MBLEDHJA E SHUMICES/ Rama lë në hije skandalin Balluku – flet para deputetëve të tij për BE-në dhe negociatat

Në mbledhjen e grupit të PS, Rama shmang skandalin me Ballukun dhe vendos fokusin te integrimi në BE

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një mbledhje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku ka bërë një bilanc të punës dhe sfidave të përballuara gjatë sesionit të kaluar parlamentar, i pari i kësaj legjislature.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se mbledhja shërbeu edhe për të vendosur piketa të përbashkëta për periudhën që vjen, duke e cilësuar vitin 2026 si një moment kyç për qeverinë dhe Kuvendin. Sipas tij, kjo periudhë është e veçantë për shkak të hyrjes së Shqipërisë në fazën intensive të negociatave me Bashkimin Evropian.

Kryeministri u shpreh se objektivi i qeverisë është përmbushja e të gjitha kushteve të nevojshme për mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda një afati të shkurtër, prej dy vitesh, në përputhje me planin e dakordësuar me BE-në.

“Puna që kemi përpara është shumë specifike dhe kërkon angazhim maksimal, pasi Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të negociatave dhe synimi ynë është që brenda dy viteve t’i mbyllim ato”, deklaroi Rama para deputetëve socialistë.