Një lëvizje që po trondit balancat diplomatike: Britania duket se po hap një kapitull të ri me Kinën, ndërsa kryeministri Keir Starmer ka mbërritur në Pekin për një vizitë tre-ditore, e para e një lideri britanik në këtë nivel që nga viti 2018.
Vizita vjen në një moment delikat për marrëdhëniet transatlantike, duke ngritur pikëpyetje nëse Londra po ripozicionon prioritetet e saj globale. Starmer udhëton i shoqëruar nga rreth 60 drejtues britanikë nga biznesi dhe kultura, në një delegacion që synon të hapë dyer të reja ekonomike dhe tregtare me gjigantin aziatik.
Në axhendë është takimi me Presidentin Xi Jinping, me fokus të qartë tek bashkëpunimi ekonomik. “Jemi të hapur ndaj botës,” deklaroi Starmer, duke theksuar se çdo hap i kësaj vizite ka një vijë të kuqe të vetme: interesi kombëtar britanik. “Po shkruani historinë. Po sjellim ndryshim dhe po ndërtojmë marrëdhënie të reja, gjithmonë me sytë te përfitimi për vendin tonë,” u shpreh ai para delegacionit.
Vetë Starmer e ka cilësuar këtë udhëtim si fundin e “epokës së akullt” në marrëdhëniet dypalëshe, duke sinjalizuar një qasje më pragmatike ndaj Pekinit përmes dialogut dhe kontakteve të vazhdueshme.
Por në Londër, zërat kritikë janë ndezur. Kundërshtarët e akuzojnë se po i afrohet tepër Kinës, madje e quajnë këtë një lloj tërheqjeje përballë Pekinit. Nga ana tjetër, theksohet se nga këndvështrimi i sigurisë, Laburistët nuk e kanë zbutur vlerësimin për rreziqet që paraqet Kina — përkundrazi, ndërgjegjësimi për to mbetet i lartë.
Përballë akuzave për dobësi, Starmer kundërpërgjigjet me një argument të drejtpërdrejtë: kjo vizitë, sipas tij, do të përkthehet në përfitime konkrete financiare për Britaninë. Në një botë gjithnjë e më të polarizuar, Londra duket se po luan një lojë të hollë mes fuqive të mëdha — me ekonominë në plan të parë.









