DEKLARATA/ Trump nga Davosi: “Bordi i Paqes” jetik për botën, edhe pse disa liderë nuk i duroj

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, e cilësoi “Bordin e Paqes” si një nga mekanizmat më të rëndësishëm të krijuar për ruajtjen e stabilitetit global, duke mos kursyer as batutat karakteristike për stilin e tij.

Trump deklaroi se ky forum ka zgjuar interes të madh ndërkombëtar dhe se pothuajse çdo shtet dëshiron të jetë pjesë e tij. Sipas tij, ftesat janë dërguar dhe shumë nga liderët e përfshirë ndodhen aktualisht në Davos.

Në fjalën e tij, presidenti amerikan u ndal edhe te lufta në Ukrainë, duke pretenduar se presidenti rus Vladimir Putin i kishte thënë se konflikti nuk do të kishte nisur kurrë nëse ai do të kishte qenë president i SHBA-së në atë kohë.

Me tone ironike, Trump shtoi se, ndonëse i vlerëson shumicën e liderëve të përfshirë në “Bordin e Paqes”, ka dy ose tre prej tyre që nuk i duron, por theksoi se kjo nuk e zbeh rëndësinë e mekanizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar që ai synon të ndërtojë.