Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës është shprehur e shqetësuar me vendimin e fundit të Komisionit Qendror Zgjedhor për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
“BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 28 dhjetorit”.
Sipas BE-së politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së.
Ndaj moscertifikimit të Listës Serbe ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë duke shprehur shqetësim për vendimin në fjalë.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë shpreh zhgënjimin e thellë – dhe shqetësimin e madh – për vendimin e disa përfaqësuesve të partive politike brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të refuzuar ose për t’u përmbajtur nga votimi për miratimin e kërkesës për akreditim të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit”.
OSBE-ja ka dënuar veprimet që minojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Veprime të tilla përbëjnë një largim të qartë nga standardet ndërkombëtare të pranuara për proceset zgjedhore. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për rritjen e polarizimit politik brenda KQZ-së, i cili pasqyrohet në sjelljen e votimit që duket se udhëhiqet nga interesa partiake e jo nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike”.
Në vlerësimin e OSBE-së veprime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të forcojnë perceptimin se vendimet janë të motivuara politikisht, e jo të udhëhequra nga parimet e drejtësisë, gjithëpërfshirjes dhe transparencës.
“Misioni i OSBE-së u bën thirrje KQZ-së dhe të gjithë aktorëve politikë që të ruajnë profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, duke siguruar që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”.









