Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë të shtunën, në orën 10:00, një takim me Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik, ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës.
Sipas njoftimit, Osmani do të takohet gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin. Në kuadër të vizitës zyrtare në Vatikan, ajo do të vizitojë edhe Bazilikën e Shën Pjetrit.
Po ashtu, në selinë e Misionit të Posaçëm të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, Osmani do të organizojë një pritje të fundvitit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Selisë së Shenjtë, trupit diplomatik dhe personaliteteve të tjera.
Presidenca njoftoi se gjatë kësaj vizite, Osmani do të zhvillojë edhe një sërë aktivitetesh të tjera, me synim forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.









