Një situatë alarmante është regjistruar në fshatin Krapës, në njësinë administrative Portëz, bashkia Fier, ku qindra krerë pula deti dhe shpendë shqerake kanë ngordhur brenda një kohe të shkurtër, duke ngritur dyshime serioze për përhapjen e Flamës dhe gripit të shpendëve.
Sipas banorëve të zonës, ngordhja masive ka ndodhur papritur, ndërsa shpendët kanë shfaqur simptoma të rënda përpara se të ngordhnin. Frika për një sëmundje infektive është e madhe, jo vetëm për fermat përreth, por edhe për shëndetin publik.
Mësohet se ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është mënyra se si po trajtohen shpendët e ngordhur. Banorët thonë se një pjesë e tyre po groposen, por një numër i konsiderueshëm po hidhen në lumin Gjanicë, duke krijuar një katastrofë të vërtetë mjedisore.
- Kolumbianet bëjnë NAMIN te Shkëmbin e Kavajës, policia zbërthen “folenë” e pr*stitucionit, përfundojnë në pranga
Lumi Gjanicë përshkon zona të tëra të banuara dhe bujqësore, kalon përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në det, duke rrezikuar përhapjen e ndotjes në një shkallë shumë më të gjerë.
Banorët shprehen të revoltuar dhe të braktisur nga institucionet, pasi sipas tyre, deri më tani asnjë përfaqësues i autoriteteve të Bujqësisë apo shërbimeve veterinare nuk ka shkuar në terren për të verifikuar gjendjen, për të marrë mostra apo për të vendosur masa karantine.
Situata kërkon ndërhyrje urgjente të institucioneve përgjegjëse, për të konstatuar shkakun e ngordhjes, për të parandaluar përhapjen e mundshme të sëmundjeve dhe për të shmangur një ndotje të pakthyeshme mjedisore. Heshtja dhe mungesa e reagimit mund ta kthejnë këtë rast në një krizë serioze për gjithë zonën e Fierit dhe më gjerë.









