VIHET ALARMI/ AKSK paralajmëron qytetarët: Kujdes nga ky mesazh në WhatsApp

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSK, ka lëshuar një paralajmërim publik për rritjen e rasteve të sulmeve phishing në aplikacionin WhatsApp, ku qytetarët po përballen me mesazhe dhe linqe mashtruese që synojnë marrjen e kontrollit të llogarive të tyre.

Sipas AKSK-së, sulmuesit dërgojnë mesazhe që duken zyrtare dhe kërkojnë kode verifikimi, ose i drejtojnë përdoruesit drejt faqeve të rreme të autorizimit, duke rrezikuar sigurinë e të dhënave personale.

Autoritetet u bëjnë thirrje përdoruesve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin këto masa sigurie:

Të mos klikojnë në linqe të dyshimta

Të mos ndajnë asnjë kod verifikimi, edhe kur mesazhi duket zyrtar

Të kontrollojnë pajisjet e lidhura në WhatsApp (Settings → Linked Devices)

Të aktivizojnë verifikimin me dy faktorë (2FA)

AKSK thekson se vigjilenca dhe raportimi i rasteve të dyshimta janë thelbësore për parandalimin e këtyre sulmeve kibernetike. Për më shumë informacion dhe rekomandime zyrtare mbi fushata të ngjashme phishing, qytetarët ftohen të konsultojnë materialin informues të publikuar nga autoritetet përkatëse.

AKSK paralajmëron qytetarët: Kujdes nga ky mesazh në WhatsApp