Më shumë se gjysma e klubeve të Premier League-s angleze janë të angazhuara në një garë për të gjetur sponsorë të rinj të fanellave për sezonin e ardhshëm, pasi kompanitë e lidhura me lojërat e fatit nuk do të lejohen më si sponsorë kryesorë.
Këtë sezon, 11 klube të nivelit të lartë po shfaqin marka të lidhura me bastet në pjesën e përparme të fanellave të tyre, dhe për shumë prej tyre, gjetja e një zëvendësuesi që është i gatshëm të paguajë të njëjtën shumë po rezulton e pamundur.
Klubet e Premier League-s, raporton “The Times”, ranë dakord pothuajse tre vjet më parë për një ndalim vullnetar të sponsorizimit të fanellave nga kompanitë e basteve, për të shmangur legjislacionin qeveritar që i ndalon ato.
Megjithatë, marrëveshjet e sponsorizimit të mëngëve mbeten të lejuara.
Sipas burimeve në disa klube, të ardhurat komerciale pritet të ulen sezonin e ardhshëm.
Një drejtues shpjegoi: “Kompanitë e lojërave të fatit zakonisht janë të gatshme të paguajnë rreth dyfishin e asaj që paguajnë sponsorët e tjerë. Ajo që e përkeqëson situatën është fakti se 11 klube tani po kërkojnë një numër të kufizuar sponsorësh në të njëjtën kohë”.
Asnjë nga të ashtuquajturit “Gjashtë të Mëdhenj” nuk ka një sponsor për fanellat që lidhet me bastet, ashtu si Newcastle United, Leeds United dhe Brighton & Hove Albion.
Kjo ngre shqetësime se klubet më të vogla do të mbeten edhe më prapa financiarisht elitës.
Klubet e Premier League janë kritikuar më parë për partneritet me platforma bastesh me seli në Azi, duke mos pasur një prani të drejtpërdrejtë në Mbretërinë e Bashkuar.









