Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me hetimin e SPAK ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku gjatë ditëve të fundit janë vendosur disa masa sigurie, mes tyre edhe ndaj drejtoreshës së institucionit, Mirlinda Karçanaj, e dyshuar për abuzime me tenderat.
Reagimi i kreut të qeverisë u bë gjatë episodit përmbyllës të sezonit të pestë të podcastit “Flasim”, ku Rama pranoi se AKSHI ndodhet aktualisht nën hetim për përdorimin e fondeve publike dhe se drejtuesja e institucionit gjendet nën një masë sigurie për akuza të cilat i cilësoi si të “hatashme”.
Duke vlerësuar kontributin e Karçanajt në krye të këtij institucioni, Rama theksoi se duhet pritur që drejtësia të jetë ajo që të flasë e fundit dhe se e vërteta nuk mund të përcaktohet nga debatet politike dhe mediatike.
“E di që sot ASKHI po përballet me një hetim nga SPAK për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës për transformimi historik dixhital me dije me vullnet dhe përkushtim të përditshëm për 12 vite më parë gjendet nën një masë sigurie me një akuzë të hatashme për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia dhe s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret mediatike e politike që të dalë deri në fund e vërteta e saj, cilado qoftë ajo”, tha Rama, duke theksuar më tej se falë asaj dhe ekipit të AKSHI-t, vendi ka shënuar një përparim të ndjeshëm në renditjet ndërkombëtare për shërbimet dixhitale.
Në të njëjtën kohë, kryeministri sqaroi se këto arritje nuk justifikojnë asnjë shkelje të mundshme të ligjit dhe se vetëm procesi gjyqësor mund të përcaktojë nëse ka pasur apo jo abuzime në aktivitetin e AKSHI-t.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Banka Botërore ka publikuar GovTech Maturity Index 2025, ose e thënë shqip, raportin që njëherë në 2-3 vite vlerëson 197 vende të botës për nivelin e transformimit digjital të sektorit publik.
E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jeësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqiperise, me dije, vullnet e pwrkushtim tw pwrditshwm për 12 vjet me radhë, gjendet nën nje mase sigurie me një akuze te hatashme, per te cilen duhet pritur me durim vetem nga drejtesia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj ciladoqoftë ajo.
Por unë di po ashtu, që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale.
Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë, ku kemi 0.939 pikë nga 1 që është maksimumi, por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë.
Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqesor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t, që mund ta verifikoni lehtësisht përmes linkut të raportit.









