SHQETESIMI I KREMLINIT/ Zëdhënësi Peskov: Pjesëmarrja evropiane në negociatat e Ukrainës nuk është shenjë e mirë

Kremlini tha të martën se pjesëmarrja evropiane në negociatat e vazhdueshme mbi planin e paqes të SHBA-së për Ukrainën nuk është një shenjë e mirë. Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov shtoi se Moska nuk është informuar për rezultatet e bisedimeve të fundit në Berlin.

“Pjesëmarrja e evropianëve, në aspektin e mundësisë së pranimit të marrëveshjes nga Moska nuk është një shenjë e mirë”, tha Peskov.

Ai tha se Rusia duhet së pari të informohet për negociatat e fundit midis ukrainasve dhe amerikanëve përpara se të organizojë një takim të ri për këtë çështje. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy të hënën përshëndeti “progresin” e arritur në negociata, pas takimeve që pati në Berlin me të dërguarit e SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Evropianët, aleatë të Kievit, po promovojnë një propozim paralel në lidhje me vendosjen e një force shumëkombëshe në Ukrainë, garanci të ngjashme me ato të Nenit 5 të traktatit të NATO-s dhe formimin e një ushtrie ukrainase prej 800,000 burrash. Këto propozime konsiderohen të papranueshme nga Moska, e cila i ka refuzuar ato në të kaluarën.