RIVALITETI NE TURQINE/ Greqia, Izraeli dhe Qiproja intensifikojnë stërvitjet e përbashkëta në Mesdheun Lindor

Greqia, Izraeli dhe Qiproja do të intensifikojnë stërvitjet e përbashkëta ajrore dhe detare në Mesdheun Lindor gjatë vitit 2026, duke forcuar më tej bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes.

Lajmi është konfirmuar për Times of Israel nga burime ushtarake greke dhe nga një zyrtar i lartë izraelit.

Shtetet e Mesdheut Lindor janë afruar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit përmes ushtrimeve të përbashkëta ushtarake, bashkëpunimit në prokurime të mbrojtjes dhe projekteve energjetike, zhvillime këto që ndiqen me vëmendje nga Turqia, e cila ka interesa dhe prani të shtuar në rajon.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Greke (GEETHA) njoftoi se zyrtarë të lartë ushtarakë nga tre vendet kanë nënshkruar javën e kaluar në Qipro një plan të përbashkët veprimi për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Detaje të tjera mbi përmbajtjen e marrëveshjes nuk janë bërë publike.

Nga ana e saj, Ushtria Izraelite (IDF) bëri të ditur se marrëveshja trilaterale përfshin plane pune dypalëshe mes IDF-së, Forcave të Armatosura Greke dhe Gardës Kombëtare të Qipros, si dhe zhvillimin e stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta.

Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e grupeve të punës në fusha të ndryshme dhe dialog strategjik ushtarak mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Sipas ushtrisë izraelite, planet e reja synojnë të forcojnë “stabilitetin, sigurinë dhe paqen në rajonin e Mesdheut Lindor”, në një kohë kur tensionet gjeopolitike dhe konkurrenca për ndikim dhe burime energjetike mbeten të larta.

Marrëveshja vjen pas një takimi të zhvilluar javën e kaluar në Jerusalem mes kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, presidentit të Qipros Nikos Christodoulides dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Gjatë këtij takimi, tre liderët nënshkruan gjithashtu një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në sigurinë detare dhe avancimin e projekteve për ndërlidhjen energjetike mes vendeve.