PERPLASJA ME BE/ Trump njofton ndërtimin e një harku triumfi në Uashington, si ai në Paris

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se në Uashington do të ndërtohet një hark triumfi, duke deklaruar se “kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara është i vetmi qytet në botë me këtë rëndësi që nuk ka një hark triumfi”.

Gjatë pritjes në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha mbrëmë se në Uashington do të ndërtohet një hark triumfi që duhet të përputhet me modelin e tij parizien, ose edhe të tejkalojë Harkun e Triumfit në Paris, i cili ngrihet në fund të Champs-Élysées, raporton televizioni francez BFM.

“Po ndërtojmë një hark triumfi të ngjashëm me Harkun e Triumfit dhe po e ndërtojmë pranë Urës së Arlingtonit (…) përpara Memorialit të Linkolnit. Ai që njerëzit e njohin më mirë është ai në Paris, Francë. Por ne do ta tejkalojmë atë, dhe besoj me shumë”, tha Trump, i cili tregoi një model të harkut triumfal që do të ndërtohet në darkën gala.

Ai tha se “katër shtyllat” e harkut triumfal në Uashington janë në fakt tashmë në vend dhe se ato “kanë pritur për qindra vjet”, por se ndërtimi i harkut triumfal u pengua nga lufta civile.

Trump lëshoi deklarata kundër Francës, por edhe kundër Evropës në tërësi.

“E vetmja gjë që ata kanë është historia, vitet 1860… diçka e tillë . Gjithmonë them se kjo është e vetmja gjë me të cilën nuk mund të konkurrosh. Por edhe ne do të kemi histori, në një moment të caktuar”, tha Trump.