PARALAJMERIMET E SHBA/ Maduro në panik shton masat e sigurisë – ndryshon shtretërit, celularët dhe truprojat

Presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka marrë masa të paprecedenta për të forcuar sigurinë e tij personale, teksa brenda rrethit të pushtetit në Caracas është krijuar një klimë e fortë pasigurie për shkak të mundësisë së një ndërhyrjeje ushtarake amerikane.

Detajet raportohen nga gazetari i The New York Times, Anatoly Kurmanaev, duke iu referuar disa personave të afërt me qeverinë venezueliane.

Sipas burimeve të NYT-së, Maduro ka ndryshuar rutinën e tij të përditshme për të minimizuar rrezikun e një goditjeje të saktë apo të një operacioni të forcave speciale -duke ndërruar shpesh vendin ku fle dhe celularët që përdor.

Këto masa u intensifikuan sidomos nga shtatori, kur Shtetet e Bashkuara filluan grumbullimin e anijeve luftarake dhe goditjen e mjeteve që administrata Trump i konsideron si pjesë të trafikut të drogës nga Venezuela.

Një prej zhvillimeve më të rëndësishme është rritja e rolit të Kubës në aparatin e sigurisë së presidentit.

Sipas një prej personave të cituar nga Kurmanaev, Maduro ka shtuar truprojat kubaneze në rrethin e tij personal dhe ka vendosur më shumë oficerë kubanezë të kundërzbulimit pranë ushtrisë venezueliane, si një mënyrë për të ulur rrezikun e tradhtisë së brendshme.

Megjithëse në prapaskenë mbretëron tension, në publik Maduro përpiqet të projektojë qetësi dhe vetëbesim.

Ai është shfaqur në evente pa paralajmërim, ka kërcyer në aktivitete zyrtare dhe publikon video propagandistike në TikTok, duke synuar të japë idenë se e ka situatën nën kontroll.