NDESHKIMI/ Replikat në distancë me Salianjin – Berisha i “tregon derën”: Nuk lëviz asgjë nga ato që kam deklaruar! Ekziston vetëpërjashtimi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli në një prononcim të shkurtër për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ku u pyet nëse do ta përjashtojë nga PD ish-deputetin Ervin Salianjin, pas përplasjes mes tyre në distancë, që nisi me zhvillimin e një turi paralel takimesh me bazën e partisë.

“Gjithçka ka patur unë për këtë çështje e kam shprehur si kryetari i PD-së dhe atë ju garantoj se nuk e lëviz asgjë. Qëndrimi absolut i kësaj force politike, vija absolute e kuqe është banda dhe krimi”, tha Berisha kur u pyet për reagimin e ish-deputetit, i cili i kujtoi kryedemokratit zgjedhjen si deputet të prokurorit Arian Ndoja, i cili përflitet për lidhje me krimin në Durrës.

I pyetur nëse do të ketë përjashtime të atyre anëtarëve të lidhur me bandat, Berisha tha se ekzistojnë vetëpërjashtimet.

“Nuk kam thënë që s’ka vetë përjashtime”, tha Berisha.

Pjesë nga prononcimi për mediat i Berishës:

Pyetje: Salianji ka akuzuar deputetin tuaj Arian Ndoja. Ai ka deklaruar se nëse është vijë e kuqe bashkëpunimi me krimin, atëherë ju kujton vendosjen në lista në Arian Ndojës, i cili përflitet për lidhje me krimin.

Sali Berisha: Gjithçka ka patur unë për këtë çështje e kam shprehur si kryetari i PD-së dhe atë ju garantoj se nuk e lëviz asgjë. Qëndrimi absolut i kësaj force politike, vija absolute e kuqe është banda dhe krimi.

Pyetje: Përjashtohet kur shkelet vija e kuqe?

Sali Berisha: Shih statutin!

Pyetje: Pra mund të përjashtohet? Ju keni thënë në fillim të foltores së nuk do ketë më përjashtime.

Sali Berisha: Nuk kam thënë që s’ka vetë përjashtime.

DEKLARATA E SALIANJIT

Kujtojmë se në një reagim në rrjetet sociale, teksa ndau momente nga takimi në Elbasan me demokratët, Salianji reagoi ndaj akuzave të PD ndaj tij, se ai ka pasur kontakte me persona që i ka denoncuar prej vitesh, përfshirë Suel Çelën.

Ai mohoi kategorikisht pretendimet, duke i cilësuar këto akuza si shenjë të mjerimit politik.

Në reagimin e tij Salianji nuk nguroi t’i kujtonte Berishës deputetin Arian Ndoja, i cili përflitet për lidhje me bandat.

“Unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit! Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës”, shkroi Salianji.