NDESHJA E MADHE/ Të mërkurë mbahet finalja e tretë e Kupës së NBA, midis New York Knicks dhe San Antonio Spurs

Victor Wembanyama u rikthye nga dëmtimi me San Antonio Spurs dhe i ndihmoi ata të arrijnë finalen e Kupës NBA pasi eliminuan Oklahoma City Thunder.

Ylli francez, i cili kishte munguar në 12 ndeshje për shkak të një problemi në pulpën e majtë, shënoi 22 pikë, ndërsa Spurs mposhtën në mënyrë dramatike kampionët e NBA-së me rezultatin 111-109 në Las Vegas.

Wembanyama regjistroi gjithashtu nëntë kërcime, dy asistime dhe dy bllokada në vetëm 21 minuta lojë, teksa Thunder pësoi humbjen e dytë në 26 ndeshjet e këtij sezoni.

Kupa e NBA-së është turneu vjetor që zhvillohet gjatë sezonit, ku të gjitha ndeshjet, përveç finales, llogariten edhe për renditjen e sezonit të rregullt.

Thunder ishte mposhtur në finalen e vitit të kaluar nga Milwaukee Bucks dhe seria e tyre prej 16 fitoresh radhazi u ndërpre nga Spurs, duke i eliminuar nga ky edicion i turneut.

Oklahoma City kishte barazuar fillimin më të mirë të një sezoni me 25 ndeshje (24 fitore dhe 1 humbje) pas fitores ndaj Phoenix Suns në çerekfinale, por tani kanë fillimin e dytë më të mirë pas 26 ndeshjesh.

Rekordi mbetet ai i Golden State Warriors, të cilët ishin 25-1 në sezonin 2015-16 në të njëjtën fazë.

Shai Gilgeous-Alexander, MVP aktual i NBA-së, ishte shënuesi më i mirë për Thunder kundër Spurs me 29 pikë.

San Antonio do të përballet me New York Knicks në finale, pasi këta të fundit mposhtën Orlando Magic me rezultatin 132-120.

Jalen Brunson shënoi 40 pikë, rekordi i tij sezonal, për të udhëhequr Knicks drejt fitores, ndërsa Karl-Anthony Towns kontribuoi me 29 pikë.

Finalja në mes të New York Knicks dhe San Antonio Spurs, do të zhvillohet të mërkurën në ora 02:30 të mëngjesit me kohën tonë lokale.