MBESHTETJE PER SPAK/ BE përgëzon kreun e ri, Klodian Braho: Lufta kundër korrupsionit, kyçe për integrimin

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, ku ka përgëzuar Klodian Braho-n me rastin e marrjes së detyrës si Kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme.

“BE-ja në Shqipëri përgëzon Klodian Braho-n, i cili sot merr detyrën si Kreu i SPAK-ut, dhe i uron atij shumë suksese në këtë rol të rëndësishëm”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Delegacioni i BE-së.

Në të njëjtin reagim, BE-ja vlerëson punën e SPAK-ut ndër vite, duke theksuar qëndrueshmërinë e institucionit përballë presioneve politike.

“Ne vlerësojmë SPAK-un për rezistencën e tij përballë presionit politik dhe për vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori në largim, Altin Dumani”, thuhet më tej në postim.

Sipas Delegacionit të BE-së, nën drejtimin e Dumanit, SPAK ka shënuar rezultate konkrete.

“Nën udhëheqjen e tij, SPAK arriti përparim në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe forcoi besimin e publikut te drejtësia”, thekson BE-ja.

Delegacioni evropian nënvizon se lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë elementë thelbësorë për rrugëtimin evropian të vendit.

“Lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve kyçe dhe një aspekt kyç i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në reagim.

Në fund, BE-ja u bën thirrje institucioneve që të bashkëpunojnë dhe shpreh gatishmërinë për të vijuar mbështetjen ndaj Shqipërisë.

“Ne presim të vazhdojmë të punojmë me SPAK-un, ndërsa mbështesim Shqipërinë në çdo hap të rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian”, përfundon deklarata e Delegacionit të BE-së në rrjetin X.