Ish-deputeti Agron Duka ishte i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Top Story” ku u diskutua në lidhje me firmat e disa deputetëve të PD për të mbështetur emrin e Endrit Shabanit dhe disa të tjerëve për Avokat të Popullit.
Mes tyre ishte edhe firma e Flamur Nokës ndërsa ky i fundit i ka dërguar një mesazh LIVE Dukës në emision. Sipas mesazhit që i është dërguar Dukës nga Noka, ky i fundit pretendon se nuk ka firmosur dhe i ka kërkuar edhe kolegëve të tij të mos e bëjnë diçka të tillë.
Sakaq, Noka i tha Dukës në SMS se ky propozim ishte i Ervin Salianjit.
“Unë nuk kam firmosur dhe i kam kërkuar kolegëve mos të firmosin. Ervin Salianji ka dashur të firmoset Endrit Shabani.”-tha Agron Duka.
Deputetët e PD kanë dhënë firmat e tyre për 6 kandidatët e interesuar për postin e Avokatit të Popullit. Por pas datës 2 dhjetor, pasi këto kandidatura u zyrtarizuan pas mbledhjes së numrit minimal, pra 28, të firmave mbështetëse nga ligjvënësit, demokratët kërkuan shfuqizimin e këtij akti.
Tërheqja e firmave nuk është pranuar nga mazhoranca, ndërsa Komisioni i Ligjeve dërgoi në seancë plenare 6 emrat kandidatë për tu votuar.
PS kërkon që të votojë për Avokatin e ri të Popullit, proces i cili po zvarritet tashmë prej 3 vitesh, ndërsa PD kërkon rihapje të procesit, pasi sipas rregullores, ata kanë firmosur për më shumë se 1 kandidat, gjë e cila nuk është e lejuar.
Të gjithë kandidatët janë emra të propozuar nga opozita, proces i cili pas një sërë debatesh i është lënë në dorë opozitës, duke respektuar kështu një traditë parlamentare.









