EKSTRADIMI/ Dubai “lëshon” Durim Bamin – pas humbjes së gjyqit me shtetin arab, “i forti” i Niklës pritet të sillet në Shqipëri

“I forti” i Niklës, Durim Bami do të ekstradohet drejt Shqipërisë. Ky bashkëpunim mes dy vendeve pritet të vijë pas gjyqit final të Bamit të humbur përpara drejtësisë në Dubai ku ka kërkuar qëndrimin si rezident.

Durim Bami është një personazh që paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore ndërsa njihet për influencën e tij në zonën e Fushë-Krujës. SPAK ka mbyllur dosjen e tij dhe e ka dërguar për gjykim teksa akuzohet kryesisht për “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” të, Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” apo dhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Për prokurorët e SPAK ka shpresa se Durim Bami mund të kthehet në një te penduar të drejtësisë me qëllim zbërthimin e një sërë ngjarjesh kriminale dhe identifikimin e të tjerë personave të përfshirë përgjatë viteve, në vrasje, trafik droge e krime të tjera të rënda ende të pazbardhura.

Durim Bami është arrestuar për herë të parë n Dubai në qershor 2024 pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK në maj po të atij viti. Nuk vonoi shumë dhe gjykata atje i dha lirinë si dhe lejen e qëndrimit dhe si garanci shërbeu paraqitja e tij në komisariat sa herë që të ishte e nevojshme për verifikim.

Për shkak të shkeljes së kësaj garancie dhe 3 e-mail-eve të injoruara të Policisë së Dubait, çoi në arrestimin e tij të dytë më 21 tetor 2024. Bami ka pretenduar se nuk kishte parë E-mailet ndaj nuk ishte paraqitur fizikisht në polici, ditën dhe orën e planifikuar. Por këto pretendime nuk e ndihmuan për tu liruar nga burgu. Tashmë Durim Bami, ka humbur dhe procesin gjyqësor, duke i hapur rrugën ekstradimit të tij në Shqipëri.