Kryetari i Partisë Demokratike hodhi poshtë të gjithë pretendimet se Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me firmat e demokratëve, ndërsa thekson se me këtë Rama tregoi se nuk mund të ketë asnjë negociatë.
Ai theksoi se edhe diskutimet për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale janë iluzive për Partinë Demokratike, duke theksuar se e vetmja rrugë është protesta.
“Natyrisht me këtë Edi Rama tregoi se çdo lloj çdo lloj negociate, çdo lloj ideje për zgjedhje, reformë territoriale është iluzive dhe Partia Demokratike i përgjigjet atij në mënyrën më të merituar. Ne kemi vetëm një rrugë, protestën, protestën dhe vetëm protestën për largimin e tij nga pushteti”, tha Berisha.
Teksa i ftoi qytetarët që më 22 dhjetor të dalin në protestë, Berisha deklaroi se do kërkojnë qeveri teknik dhe kthim i votës së lirë.
“22 dhjetori të jetë fillimi ynë i fuqishëm, të jetë dita jonë në të cilën ne nisim një betejë që nuk duhet ta ndalim kurrë deri në rifitimin e të drejtës së votës së lirë, qeverinë teknike dhe fitoren e PD”, u shpreh kreu i PD.
Berisha ftoi edhe Adriatik Lapajn, i cili prej disa ditësh proteston para kryeministrisë: “Lapaj nuk përjashtohet dhe unë e përshëndes atë dhe e kam përshëndetur, edhe gjestin e tij, edhe aktin e tij dhe protestën e tij të drejtë”.









