ALIBIA/ Salianji nuk merr pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar – tregon arsyen

Ervin Salianji, nuk ka marrë pjesë sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, të thirrur nga Sali Berisha pasditen e kësaj të mërkure në selinë blu.

Ai ka sqaruar se nuk ishte prezent në mbledhje pasi sipas tij vëmendja duhet të shkojë te skandalet Rama-Balluku dhe jo te takimet e organizuara nga ai.

“Sot nuk mora pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar që mos t’iu jap mundësi të shmangin vëmendjen nga skandali Rama-Balluku dhe skandali i AKSH-it”, është shprehur Salianji për TCH.

Kjo deklaratë e Salianjit, vjen në një kohë kur Partia Demokratike ka pësuar lëkundje, nisur nga takimet që ka zhvilluar vetë ish-deputeti me mbështetësit demokratë në qytete të ndryshme.

Berisha i ka cilësuar këto takime si të organizuara nga krimi, ndërsa ka akuzuar sot Salianjin për bashkëpunim me bandat. Edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD-së, pjesë më e madhe e debateve u zhvillua lidhur me takimet e Ervin Salianji me qytetarët jashtë programit të partisë.