Real Madridi mund të përballet me një goditje të rëndë vetëm 24 orë para sfidës gjigante të Ligës së Kampionëve kundër Manchester City-t, teksa ‘L’Équipe’ raporton se Kylian Mbappé po përjeton dhimbje të konsiderueshme në gjurin e majtë dhe rrezikon seriozisht mungesën në “Santiago Bernabéu”.
‘Ylli’ francez mungoi në pjesën e hapur të stërvitjes të së martës, ashtu si edhe Eduardo Camavinga, duke shtuar dyshimet mbi gjendjen e tij.
Edhe pse trajneri Xabi Alonso nuk përmendi asgjë për ndonjë dëmtim gjatë konferencës të së hënës, edhe Cadena Cope raportoi shqetësime në këmbën e majtë të sulmuesit.
Një mungesë e mundshme e Mbappé-së do të ishte një goditje e rëndë për Xabi Alonson, i cili është nën presion të madh pas vetëm dy fitoreve në shtatë ndeshjet e fundit dhe pas humbjes turpëruese 2-0 në shtëpi kundër Celta Vigos, ku madrilenët mbetën me dy lojtarë më pak dhe humbën Éder Militãon për disa muaj.
Këtë sezon, Mbappé ka qenë motori i vetëm i Real Madridit: 25 gola në LaLiga dhe Ligën e Kampionëve, plus 4 asiste.
Ai ka realizuar gjysmën e golave të ekipit në kampionat dhe 75% të atyre në Evropë, shifra që tregojnë varësinë totale të madrilenëve nga ai.
Nëse francezi nuk ia del, Real Madridi do të hyjë në njërën prej ndeshjeve më vendimtare të sezonit pa lojtarin më të rrezikshëm, duke e bërë misionin kundër City-t të Pep Guardiolës edhe më të vështirë.
Gjendja e Mbappé-së pritet të vlerësohet deri në minutën e fundit, me madrilenët që shpresojnë një mrekulli për ta pasur në fushë të mërkurën mbrëma.









