Qytetarët e Maqedonisë së Veriut votuan të shtunën, më 2 nëntor, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komune në 33 komuna, përfshirë edhe kryeqytetin, Shkupin.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë paqësore, pa ndonjë incident të raportuar. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në 19:00, ndërsa pjesëmarrja në votime ishte rreth 45 për qind nga më shumë se një milion qytetarë me të drejtë vote.
Në Shkup, gara për kryetar bashkie zhvillohej mes Orce Gjorgievskit nga VMRO-DPMNE, aktualisht kryetar i komunës së Kisella Vodës, dhe Amar Meçinoviqit, ish-deputet i partisë E Majta. Mbi 474 mijë qytetarë të kryeqytetit patën të drejtë të vendosin se kush do ta pasojë Danelа Arsovskën, kryetaren e pavarur të mbështetur më parë nga VMRO-DPMNE. Në raundin e parë, diferenca mes dy kandidatëve ishte 61 mijë vota, me Gjorgievskin që mori 91 mijë vota dhe Meçinoviqin me 30 mijë.
Në 16 komuna të tjera, gara u zhvillua mes VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) në opozitë. Këto përplasje zgjedhore, sipas analistëve, pritet të jenë tregues të forcës aktuale politike të LSDM-së, e cila në rundin e parë fitoi vetëm tri komuna, krahasuar me 33 komuna të fituara nga VMRO-DPMNE.
Komunat më të vëzhguara në këtë balotazh ishin Qendra dhe Karposhi në Shkup, si edhe Kërçova, Tetova, Struga dhe Koçani, ku votat e kandidatëve të eliminuar në raundin e parë pritet të jenë vendimtare për rezultatin përfundimtar.









