TALLJA ME DREJTESINE/ Berisha paraqitet në SPAK për dosjen “Partizani” – për fletë-thirrjen mbi “21 Janarin” vijon të bëjë të panjoftuarin: S’kam marrë asnjë shkresë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.

Berisha deklaroi se nuk është paraqitur për thirrjen e prokurorëve të posaçëm lidhur me çështjen “21 Janari”, pasi sipas tij, nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar.

“Njoftim quhet kur një person të vjen dhe ta dorëzon zyrtarisht. Asnjë nuk më ka thënë orën, datën apo të më dorëzojë një letër. Askush nuk ka marrë asnjë shkresë në emrin tim,” tha Berisha.

Ai shtoi se kontrolloi të gjitha mënyrat e komunikimit, përfshirë adresat elektronike dhe aplikacionet e mesazheve.

“Kam dy e-mail, një timin dhe një të Parlamentit që s’e kam përdorur pothuajse fare. Në WhatsApp apo Signal nuk më ka ardhur asgjë,” u shpreh ai.

“Nuk më kanë thirrur asnjëherë sepse kanë pasur frikë nga dëshmia ime,” shtoi Berisha.